Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 17:18

Tiranë – Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto pati takime me Kryetarin e Parlamentit, Per Esterberg, Ministrin e Jashtëm, Carl Bildt, Ministren e Tregtisë, Ewa Bjorling, sekretarin për çështje të BE-së, Oscar Waglund etj. Në takime u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Shqipërisë në BE, zhvillimet në rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare, etj.

Në takim me Ministrin suedez të Punëve të Jashtme, Carl Bildt u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm midis dy vendeve, si dhe u theksua se ka shumë mundësi dhe rrugë për t’i forcuar ato më tej, në interes të dy vendeve. Si fusha të këtij bashkëpunimi u identifikuan energjia, burimet natyrore dhe minierat, infrastruktura, turizmi dhe shkëmbimet tregtare.

Duke falënderuar për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, liberalizimit të vizave, si dhe në kuadër të programeve dypalëshe të zhvillimit, Haxhinasto kërkoi që Suedia të vazhdojë të mbështesë vendin tonë për të marrë statusin e vendit kandidat.

Ministri i Jashtëm suedez, Bildt u shpreh se Suedia, si mbështetëse e përhershme e zgjerimit, dëshiron që të shohë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pa përjashtim, si vende anëtare të BE-së. Në këtë kuadër, ajo mbështet edhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Ndërsa në takimin me Kryetarin e Parlamentit Suedez, Per Westerberg, u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve, si dhe integrimin e vendeve të rajonit tonë në BE. Westerberg theksoi se për parlamentarët suedezë është e rëndësishme që gjykatat të jenë të pavarura dhe të vazhdojë të luftohet korrupsioni.
 
Duke vlerësuar këtë situatë, znj. Bjorling tha se synohet që në 5 vitet e ardhshme do të dyfishohen eksportet, ndërsa është e nevojshme që të mbahet parasysh një perspektivë më e thellë në drejtim të infrastrukturës. Ndër fushat e identifikuara për bashkëpunim në të ardhmen ishin: energjia e pastër, burimet natyrore, turizmi, shërbimet, industria e agrobiznesit, pylltaria dhe arroret. (LajmeShqip.com)