Prishtinë – Në Kuvendin e Kosovës më 10 maj do jetë në rend dite, të seancës plenare, interpelanca me zv/kryeministren, Edita Tahiri, lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen në Bruksel.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës. “Edhe pse kanë kaluar 13 vjet prej krimeve masive nga forcat serbe në Kosovë dhe janë të evidentuar me emër e mbiemër rrethanat e vrasjeve dhe të zhdukjeve të 13 mijë e 300 personave në Kosovë.
Gjyqësori në Kosovë deri më tani ka proceduar dhe me aktgjykim të formës së prerë ka përmbyllur vetëm 10 raste”, është theksuar në seancën e kaluar plenare të Kuvendit në debatin parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur.
Në debat është thënë se autoritetet e Serbisë, jo vetëm që nuk kanë treguar interesim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por këtë gjendje e shfrytëzojnë për interesa dhe përfitime politike. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 07:30