Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e ka vlerësuar se procesi i zgjedhjeve të parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, ka kaluar qetë, pa asnjë incident të regjistruar. Ai e ka quajtur të panevojshëm intervenimin në dy komunat në Zveçan dhe në Zubin Potok ku janë mbajtur zgjedhjet lokale, pasi, sipas tij, ato zgjedhje janë pa legjitimitet”.
Zvkryeministri Hajredin Kuqi vlerësoi se në zgjedhjet e djeshme serbe në Kosovë institucionet e Serbisë nuk e kanë pasur asnjë kompetencë dhe se OSBE ja e ka kryer punën e vet.
Kuqi tha se zgjedhjet lokale serbe të mbajtur në dy komuna nuk njihen as nga vetë Serbia, ndërsa sa i përket zgjedhjeve komunale të Republikës së Kosovës, në komunat e veriut, zvkryeministri Kuqi tha se ato do të mbahen kur te krijohen kushtet për zgjedhje demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, përshëndeti përfundimin paqësor të misionit lehtësues të OSBE në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel zhbogar e ka vlerëesuar pozitivisht procesin e djeshëm.
Ndërkaq Glauk Konjufca tha se Qeveria e ka shkelur rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të miratuar më 15 mars. “Shkelja e rezolutës së 15 marsit është në vazhden e shkeljeve tjera që qeveria e Republikës së Kosovës iu ka bërë vendimeve dhe dokumenteve të Kuvendit të Kosovës. Prandaj Kuvendi duhet të ndjehet i mashtruar nga ana e qeverisë, sepse kemi pasur të bëjmë me një vendim, i cili është obligativ për Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë OSBE-ja përfundoi dorëzimin e kutive të votimit të vulosura Komisionit Zgjedhor të Serbisë në qendrave të numërimit në Vranjë dhe Rashkë në orët e para të mëngjesit, thuhet në një deklaratë të këtij misioni. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 May 2012 17:02