Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 16:13

Tiranë – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh të hënën se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës duhet të kalojë përmes një konsultimi të gjerë.

Në një prononcim për mediat, kryetari i PR-së tha se procesi duhet të bazohet në Kushtetutë dhe se maxhoranca duhet të ulet dhe të diskutojë për kandidatin për President.
“Është e domosdoshme që maxhoranca të ulet dhe të diskutojë për kandidatin për president, kjo duke u nisur dhe nga një eksperiencë e proceseve të mëparshme të viteve 2002 dhe 2007”, tha Mediu, i cili mban dhe postin e ministrit të Mjedisit në qeveri.

Në këtë proces, vijoi ai, “ne nuk kemi një histori të re, ndoshta ndryshimet kushtetuese e sjellin këtë preokupim, por në proceset e viteve 2002 dhe 2007, ku kemi pasur dhe kandidatura nga shoqëria civile dhe intelektualë të njohur, nuk ka pasur asnjë lloj frenimi”. “E rëndësishme në këtë proces është që të arrijmë në një zgjedhje të qenësishme dhe që i pari i Shtetit të jetë garant i Kushtetutës”, theksoi kryetari i Partisë Republikane, pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës.

Ndërkohë, Mediu deklaroi se do të takohet me kandidatin e vetëshpallur për postin e Presidentit, Fatos Nano, në kuadër të prezantimit të platformës së këtij të fundit për garën e ardhshme presidenciale. (LajmeShqip.com)