Tiranë – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të hënën në parim p/ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Qeveria i propozon Kuvendit që ky p/ligj të kalohet me procedurë të përshpejtuar.
Drafti i paraqitur në komision nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ’90, edhe në territorin shqiptar.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, e vlerësoi p/ligjin shumë të rëndësishëm, por ndërkohë kërkoi më shumë kohë për miratimin e tij. Sipas tij, më parë është e nevojshme që të bëhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, ndërkohë që paralelisht me këtë duhet të jepet edhe mendimi i misionit EURALIUS dhe Prokurorisë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi replikoi duke thënë se drafti i sjellë nga qeveria është marrë në dorë nga EULEX dhe është pjesë e MSA-së.
Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi p/ligjin në fjalë, i cili, sipas kryeministrit Sali Berisha, do t’i krijojë ekipit të ekspertëve të Task Forcës hetimore të EULEX-it të gjitha mundësitë për një hetim të plotë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty. Duke e konsideruar të domosdoshme zbardhjen e së vërtetës mbi këto pretendime, kryeministri theksoi se raporti nuk bazohet në asnjë fakt evident dhe se relatori i KiE-së, Marty është i njohur, sipas tij, për qëndrimet antishqiptare. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 May 2012 11:53