Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 07:30

Athinë – Akoma nuk është i qartë rezultati në zgjedhjet parlamentare greke, pasi rezultate finale ato zyrtare nuk mund  të gjykohen thjesht nga përqindja që ka arritur të marrë secila parti të vëndeve në parlament.

Por është e qartë se grekët kanë ndëshkuar dy partitë e mëdha të cilat pranuan masat shtrënguese për të nxjerrë vendin nga kriza. Demokracia e Re dhe PASOK së bashku nuk kanë arritur të marrin as 40% të votave. Ndërkohë vihet re fuqizimi i partive të ekstremit të majtë e të djathtë që dolën kundër masave të kursimit.

Më i komentuar nga të gjithë, rezultati i Krisi Avgji, Agimi i Artë, një parti neonaziste e cila mund të marrë rreth 20 deputetë në parlamentin e ri, ku hyn për herë të parë pas 40 vjetësh.

Në rezultatet e para zyrtare, Demokracia e Re në krye. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke, me mbi 17% të votave të numëruara rezultatet janë: Demokracia e Re 20.88%; Syriza 15.26%; PASOK 14.61%, Grekët e Pavarur 10.20%; komunistët 8.27%; Agimi i Artë 6.72%

Rezultatet exit-poll flasin për kaos politik në mbylljen e  votimeve. Ndërkohë që exit-poll i parë ende nuk jep rezultate ku mund të bazohesh, ajo që bie në sy është se dy partitë e mëdha tradicionale, PASOK dhe Demokracia e Re, të marra së bashku nuk arrijnë dot 40% të votave, kjo e bën krejt të paqartë formulën e re që do krijojë qeverinë e ardhshme greke. (lajmeShqip.com)