Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, u është drejtuar sot me një letër të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pas arrestimit të enjten, në Serbi, të shtetasit të Kosovës, Haxhi Kastrati.
“Ky arrestim ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri tek qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë tranzit nëpër këtë shtet fqinj. Ky arrestim arbitrar hyn në vazhdën e arrestimeve të mëhershme që autoritetet e shtetit serb kanë bërë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës vetëm pak muaj pas arritjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në këtë letër.
Përmes kësaj letre, ministri Hoxhaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe BE-së që të ushtrojnë trysni tek autoritetet serbe që të lirojnë menjëherë Haxhi Kastratin dhe të mundësojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Haxhi Kastrati, 34 vjeçar, nga fshatit Zatriq i Komunës së Rahovecit, u ndalua të enjten rreth orës 04:00 të mëngjesit menjëherë sapo kishte hyrë në territorin serb, ndërsa po udhëtonte nga Austria për në vendlindje së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 20:05