Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për një vizitë dy ditore në Mbretërinë e Tajlandës, i dorëzoi homolgut tajlandez, Surapong Tovichakchaikul, kërkesën zyrtare për njohjen e Kosovës, shtet sovran e të pavarur.
Në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, thuhet se “ministri Hoxhaj e ka njohur homologun tajlandez Tovichakchaikul me zhvillimet në Republikën e Kosovës”.
Ai u shpreh se “ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Tajlandës dhe t’i forcojmë lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dy vendeve dhe popujve tanë”.
Ministri i Jashtëm i Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ka mirëpritur vizitën e ministrit Hoxhaj në Tajlandë dhe e ka siguruar atë që kërkesa për njohje do të shqyrtohet seriozisht nga ky shtet.
“Në një të ardhme të afërt do të dëgjoni lajme pozitive për Kosovën”, ka thënë ministri Tovichakchaikul, duke shtuar se pavarësia e Kosovës i ka kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 May 2012 16:16