Tiranë (PLOTESUAR 12:30)- Drejtuesit e Partisë Socialiste zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë të PS-së, vendosi një kurorë me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri” në shenjë respekti e mirënjohje për të rënët për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për çdo veteran të luftës, çdo njeri që diktatura komuniste e persekutoi dhe e pengoi të jetonte i lirë, ashtu si kundër çdo martir të asaj diktature.
Në përfundim të homazheve kryesocialisti doli përpara mediave ku deklaroi: “Do të bëjmë gjithçka mundemi që Shqipëria që duam të jetë ajo që deshën ata të cilët prehen këtu. Shqipëria që kemi sot nuk është Shqipëria që duam dhe për këtë do të vazhdojmë të luftojmë për idealet dhe idetë e Shqipërisë europiane. Për atë Rilindje Shqiptare për të cilën jemi të angazhuar.” (LajmeShqip.com)
****************************
Tiranë -Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. I shoqëruar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri shprehu nderim ndaj atyre që u detyrohemi për dinjitetin dhe lirinë.
Kjo ditë është për të gjithë ata që flijuan jetën, rininë, flijuan gjithçka që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë, kudo që ndodhemi në trojet tona”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit dhe sot shqiptarët janë të lirë kudo që ndodhen”. “Ata luftuan që trojet shqiptare të jenë të bashkuara. Trojet shqiptare sot janë të lira dhe në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar në të ardhmen europiane që meritojnë”, theksoi Berisha.
“Sot le të shprehim nderimin më të madh ndaj familjeve, ndaj atyre që humbën të dashurit për lirinë kombëtare. Secili prej tyre, që prehet sot në flamurin e kombit 100 vjet më parë sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, që rend për të kapur dekada dhe pse jo shekuj, që iu grabitën asaj nga diktatura dhe pushtimet. Nderim ndaj atyre që u detyrohemi dinjitetin dhe lirinë”, nënvizoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 May 2012 12:09