Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 16:09

Prishtinë –  Dje në Romë, u nënshkrua marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së San Marinos. 

Të dy ambasadorët e autorizuar nga qeveritë, respektivisht Ambasadorja Danela Rotondaro nga Kapiteni Regjent i San Marinos dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Itali, Albert Prenkaj nga Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, nënshkruan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Të dy ambasadorët u deklaruan se ky është vetëm hapi i parë, apo fillim i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke vënë theksin në interesimin e vendosjes së marrëdhënieve në segmentin e ekonomisë.

Në këtë drejtim Ambasadorja Rotondaro shprehu interesimin që të iniciohet nënshkrimi i marrëveshjeve për heqjen e taksave të dyfishta dhe mbrojtjen e investimeve reciproke.

Ndërsa, Ambasadori Prenkaj vuri theksin në fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike Italo-Kosovare me seli në Romë dhe Odës Ekonomike të San Marinos.

San Marino e ka njohur Republikën e Kosovës më 11 maj 2008. (LajmeShqip.com)