Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 15:11

Tiranë – Reforma e dixhitalizimit të noterisë dhe sistemi One Stop Shop për Noterët, është reforma më thelbësore dhe e qenësishme e Ministrisë së Drejtësisë. Kështu është shprehur Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në Kongresin Kombëtar të Noterëve, organizuar sot në Tiranë. 

Ministri Halimi tha se, “me një grup të talentuar ekspertësh, me një bashkëpunim të shkëlqyer me Dhomën e Noterisë hartuam paketën ligjore e cila ka hyrë në fuqi para disa javësh”. Kreu i ministrisë së Drejtësisë Halimi vuri në dukje se, “dixhitalizimi i sistemit të noterisë ka të bëjë me dy aspekte: e para me aksesin online të noterit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për marrjen e informacioneve dhe e dyta me dixhitalizimin e regjistrave noteriale dhe krijimin e një regjistri unik dixhital të noterëve në të gjithë Shqipërinë”.

Reforma në shërbimin e Noterisë mundëson shkurtimin e kohës për hartimin e një kontrate, shmang çdo mundësi korrupsioni dhe burokracie pranë administratës publike, por mbi të gjitha krijon sigurinë dhe besimin e munguar deri më sot në transaksionin që kryhet, jo vetëm se i gjithë procesi përqëndrohet në duart e një profesionisti, por edhe për shkak të transparencës dhe sigurisë që ofron verifikimi online.

Sistemi i përpunimit të automatizuar të të dhënave që është duke u ndërtuar me bazë One Stop Shop për noterët është sistem me tre fitues, qytetarët, biznesin dhe shtetin fiskal. Në këtë Kongres, ministri Halimi u dekorua nga Piere Jean De Coorps, Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve me medaljen: “Për reformat e kryera në fushën e noterisë dhe dinamizmin, për mbështetjen dhe përpjekjet maksimale që ka bërë në drejtim të forcimit të profesionit të noterit”. (LajmeShqip.com)