Tiranë – Rënia e kërkesës në sektorin e ndërtimit dhe si rrjedhojë shitja gjithmonë e më pak e apartamenteve të reja, ka bërë që sot ky sektor të jetë më pak i kredituari nga bankat.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitet e fundit, sektori i ndërtimit mbetet më pak i preferuar për t’u kredituar nga sektori bankar, si reflektim i ecurisë së dobët të tij.
Rritja vjetore e kredisë për këtë sektor ka vijuar prirjen rënëse, duke shënuar një tkurrje me rreth 7.7% në muajin dhjetor 2011. Kreditimi i sektorit të ndërtimit ka shfaqur një sjellje prociklike në një hark kohor 3-vjeçar, ku ulja e kredisë për këtë sektor krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë ka qenë më e shpejtë. Aktualisht llogariten mbi 4 mijë apartamente të reja të pashitura në rang vendi.
Shpërndarja e kredisë sipas qëllimit të përdorimit për sektorin e biznesit në një periudhë prej 5 vitesh është përqendruar në formën “overdraft” dhe “investime në pasuri të paluajtshme”, ndërkohë që evidentohet rënie e peshës së kredisë për “investime në blerje pajisjesh”.
Sektori bankar ka mbështetur më shumë financimin e sektorit të prodhimit të energjisë elektrike, bujqësisë dhe industrisë, ku kredia akorduar këtyre tre sektorëve ka shënuar rritje vjetore përkatësisht me 57.3%, 40.3% dhe 19.5%. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 07:50