Kukës – Ngritja e menjëhershme e temperaturave ka rritur rrezikun e rënies së zjarreve në masivet pyjore ne rrethin e Kukësit. Në orët e mbrëmjes së kaluar një vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të malit të Koretnikut. “Nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri, ndërsa për shuarjen e tij janë mobilizuar punonjës të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor dhe banorë të fshatrave të komunës së Tërthores”, pohojnë specialiste të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit.
“Në këtë periudhë rreziku i rënies së zjarreve është në rritje. Kjo ka bërë qe te merren masa për kontrollin e situatës. Kështu, në bashkëpunim me pushtetin vendor janë ngritur grupet e sinjalizimit, grupet e shuarjes së zjarreve, gjë që mundëson kontrollin gjatë 24 orëve të situatës”, thotë përgjegjësi i policisë pyjore të rrethit, Behar Rexhmati.
Për kontrollin e situatës, nga specialistët e pyjeve kërkohet një bashkëpunim më i mirë me drejtuesit e pushtetit lokal, në kushtet kur mbi 70 për qind e pasurisë pyjore ka kaluar në përdorim të pushtetit vendor. Një gjë e tillë është e domosdoshme, pasi tashmë rastet e para të rënies së zjarreve në pyje evidentojnë rrezikun në rritje të zjarreve në masivet pyjore. Deri tani në masivet pyjore të këtij rrethi janë shfaqur 3 raste zjarresh në afërsi të fshatrave Kalis, Tejdrine dhe në malin e Gjalicës. Secili prej këtyre zjarreve ka përshkruar rreth 1000 metra, gjë që tregon se dëmi i shkaktuar është minimal.
Wednesday, 02 May 2012 08:00