Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 19:15

Prishtinë – Kosova asnjëherë  më parë nuk ka pasur pozicion më të mirë historik, politik, ndërkombëtar dhe diplomatik, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

“Kosova  është shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur, i njohur nga 90 vende të botës demokratike, në mesin e të cilave vendet më të fuqishme të globit, dhe po shkon me sukses drejt procesit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi foli në Prekaz të komunës së Skënderajt me rastin e 13 vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, gjatë së cilës u organizua ceremonia e inaugurimit të kullës dhe u bë zbulimi i bustit të heroit.

“Kosova  është rreshtuar drejt dhe së shpejti dhe do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike. Gjaku i dëshmorëve, ëndrra dhe ideali i tyre po bëhen realitet”, theksoi ai. Kryeministri Thaçi u shpreh plot besim se Kosova ka një ardhmëri të sigurt dhe se ajo do të jetë pjesë e BE-së, NATO-s dhe e OKB-së, ashtu siç e meriton, në gjirin e kombeve të qytetëruara. (lajmeShqip.com)