Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 15:18

Pas rrugëtimit në dhjetra festivale ndërkombëtare, ndër më prestigjiozet në botë, pas premierës botërore e shfaqjes në Sarajevë dhe Beograd ndër të tjera, e pasi ka shkaktuar jo pak reagim ndër serbë për mënyrën se si e ka trajtuar Luftën e Bosnjes në fillim të viteve ’90-të, filmi debutes si regjisore, “In the Land of Blood and Honey” i Angelina Jolie prek Tiranën.

Prej të premtes së kaluar, filmi ka nisur projektimin për shqiptarët në 2 salla të rrjetit të kinemave “Imperial” në kryeqytet, duke sjellë një histori e cila është fare pranë nesh, në Ballkan.

Një histori dashurie në kohë lufte e cila ka marrë vite nga jeta e artistes Jolie për t’u shkruar, pasi ajo ka dashur të shkruajë vet edhe skenarin e t’i tregojë ngjarjet sipas vështrimit të saj.

Drejtori i rrjetit të kinemave të kryeqytetit, Altin Prifti pohon se ka dashur që ky film të jetë në sallën e kinemasë pasi është një histori që na përket qoftë direkt, por edhe indirekt.

“Të gjitha ngjarjet zhvillohen në Ballkan, në një mjedis që ne e njohim, e flasin për një luftë fare pranë nesh, andaj edhe besoj që do të jetë një film që do ndjellë jo pak shqiptarë në kinema, pse jo edhe për faktin se regjisore e tij është Angelina Jolie.”

Nën tallazet e një konflikti etnik, një ushtar serb dashurohet me një grua myslimane të Bosnjes. Kjo është historia e ushtarit Danijel dhe boshnjakes Ajla e cila gjendet pas telave me gjemba të kampit që ai ruan. E përtej kritikave dhe kundërshtive të serbëve, të cilët e bojkotuan filmin në premierën e tij në Beograd, në sallë u raportua se qenë vetëm 5 persona, nga kritika, ky film debutues është vlerësuar jo pak. Është vlerësuar sidomos loja e aktorëve Zana Marjanovic, Goran Kostic dhe Rade Serbedzija, të cilët sipas vlerësimeve kanë përcjellë me vërtetësi të jashtëzakonshme një ngjarje e cila ka prekur shumë e që vijon të jetë e debatueshme.

Kushdo kurreshtar mund të shohë “In the Land of Blood and Honey”, filmin e Angelina Jolie që ka pasur rrugëtimin e tij të suksesshëm në shumë vende të botës, në dy sallat e Imperial në Tiranë, në kinema Agimi dhe në qendrën Kristal.