Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 10:52

Tiranë -Ministria e Jashtme është mjaftuar me një deklaratë se nuk ka informacion zyrtar për ndalimin e gjyqtarëve korçarë në kufirin me Greqinë.

Ata nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi me arsyetimin se përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë. Ndërkohë ambasada greke thotë se kjo është një kompetencë e policisë kufitare.

Një nga gjyqtaret e ndaluara, Afërdita Maho, thotë se është ndaluar ndërsa po kalonte kufirin me dy vajzat e saj, të cilat thotë se kanë pasaportë amerikane.

Maho shprehet se po kalonte kufirin me të shoqin dhe vajzat, njërën vetëm 3-muajshe.

“Sipas doganierëve grekë, ne jemi persona të padëshiruar dhe të rrezikshëm për vendin dhe sigurinë e shtetit grek. Të mendosh që dy vajzat e mia janë të mitura, njëra vetëm 3- muajsh,” tha ajo .

Gjyqtarja shprehet e bindur se ndalimi i saj ka të bëjë me dënimin e Naum Dishos, kreut të OMONIA-s në Korçë, i cili akuzohet për dhunimin e varreve të Boboshticës. (TO)