Tiranë – Sistemi i ri i administrimit të varrezave ekzistuese do t’u shërbejë banorëve, të paktën dhe për 10 vitet e ardhshme, shprehet nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti. Me shkrimin e tij, adresuar reformës së nevojëshme në sistemin funeral të kryeqytetit, ai thekson se Bashkia e Tiranës synon ta ndërmarrë atë, për të mirëadministruar procesin e varrimeve në Tiranë dhe udhëhiqet nga respekti i plotë i dinjitetit njerëzor dhe i ndjeshmërive fetare.
Në këtë shkrim dërguar mediave, thuhet se “aktualisht, edhe sipas censusit më të fundit mbi popullsinë në Tiranë, në qytetin tonë banon rreth 30% e popullsisë së vendit. Tendenca është që edhe në vitet në vazhdim, popullsia e Tiranës të rritet çdo vit me rreth 3%, gjë që do të thotë që për më pak se 10 vite, popullsia në Tiranë t’i kapërcejë një milionë banorë. Mund të imagjinohet trysnia në rritje, që ky “boom” demografik ushtron mbi hapësirat urbane, përfshirë këtu hapësirat jetësore, hapësirat e gjelbra, hapësirat ekonomike dhe social-kulturore, përfshirë këtu edhe hapësirat për varrime”.
Duke vënë në dukje situatën e vështirë të administrimit të funeraleve, Panariti argumenton se bashkia nuk mund ta mbështesë plotësimin e kësaj nevoje në rritje, vetëm duke kërkuar zgjerim të sipërfaqeve të reja për varre, thjesht sepse kjo është e pamundur fizikisht dhe financiarisht. Nga presioni i papërballueshëm për hapësira, varre po hapen në vende të papërshtatshme, si vende me shkallë të lartë erozioni buzë përroit të Tufinës, në vende grumbullimi mbeturinash, si dhe në territore të cilat në planin urbanistik të qytetit nuk janë të parashikuara si vende për varrim.
“Përveç se cënojnë rëndë moralin qytetar dhe ligjin, këto praktika janë në shkelje të drejtpërdrejtë edhe të normave fetare. Ja seç thuhet për shembull në ligjin islam, për kriteret e varrimit: Neni 628: Nuk lejohet varrimi i një të vdekuri mysliman në një vend të papërshtatshëm, të padenjë, siç mund të jetë vend-grumbullimi i mbeturinave. Neni 629: Nuk lejohet që të kryhet varrimi në toka të uzurpuara dhe as në toka të cilat nuk janë të parashikuara për varreza. Nisur nga kjo, ne propozojmë nisjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme për të mundësuar administrimin e një procesi dinjitoz të varrimit, si pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe respektimit të besimit të tyre fetar”, thuhet në shkrim.
Pjesë e kësaj reforme, sipas Panaritit, janë ndërtimi i varrezave murale, një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për zhvendosje të varreve të vjetra dhe shumë të vjetra në sistem vertikal varrimi të tipit mural, mjaft më dinjitoz se gjendja tashmë e degraduar dhe e shpërfillur e këtyre varreve. Fillimisht do të bëhet zhvendosja e varreve mbi 40 vite të vjetra. Sipas statistikave të shërbimit funeral të Bashkisë, përllogariten përafërsisht rreth 5300 varre, të zhvendosur në Tufinë, nga ish – varreza e Bamit në vitin 1964. Po kështu rreth 11 parcela në të dy varrezat janë varre të vjetra e shumë të vjetra me të porsalindur. Vetëm në intervalin 1964-1980 janë varrosur përafërsisht 15000 banorë.
Bashkia është duke punuar, që të ndjerët të zhvendosen sipas të gjitha kritereve në sistem tjetër varri, ashtu siç ndodh edhe në vende të tjera të zhvilluara, duke ruajtur dhe rifaktorizuar identitetin e të larguarit nga jeta dhe garantuar respektin ndaj tij, si dhe nderimet në çdo kohë nga familjarët. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 April 2012 18:27