Policia e Kosovës mohon të ketë pasur ndonjë ndërhyrje të KFOR-it në bazën e njësive speciale të policisë së Kosovës (ROSU) në Mitrovicë.
Situata e përgjithshme në Mitrovicë pas ngjarjeve të fundit paraqitet e qetë dhe nuk janë shënuar incidente që do të rrezikonin sigurinë e përgjithshme të qytetarëve. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti. Ndërkaq sa i përket informacioneve që KFOR-i edhe EULEX-I ka kontrolluar bazën e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës Hoti tha se kjo nuk ka ndodhur.
Informacionet e ndryshme të cilat qarkullojnë nëpër portale të ndryshme dhe agjenci të ndryshme të lajmeve bëjnë të ditur forcat e KFOR-it dhe Eulex-it kanë ndërhyrë për bastisje dhe kontrolla në bazën e njësive të specializuara të PK-së. Mendohet se sipas një informacioni KFOR dhe EULEX dinin për përgatitjet e ROSU për të kryer arrestimin e disa serbëve në veri, për sulmin ndaj pikës statike të Policisë së Kosovës të vendosur në Mitrovicë.
Ndërkaq, zëdhënësi i KFOR-it Uve Novicki tha se nuk ishte në dijeni nëse forcat paqeruajtëse kanë penguar një aksion të mundshëm të forcave speciale të policisë së Kosovës ROSU. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 April 2012 14:45