Tiranë Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, u shpreh se, biznesi shqiptar zë vendin e parë përsa i përket investimeve në Kosovë.
I pranishëm në Forumin e parë Ndërkombëtar Ekonomik që u zhvillua në 4 Prill në Prishtinë, si pjesë e projektit “Javët e biznesit kombëtar”, që cilësohet si projekti më i madh mbarëshqiptar që organizohet për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ambasadori Lauka, theksoi se “qëllimi i këtij aktiviteti është identifikimi i mundësive dhe potencialeve në mbarë trevat shqiptare, për nxitjen e bashkëpunimit dhe thithjen e investimeve të huaja “.
Sipas tij, forumi është pjesë e aktiviteteve të shumta që po organizohen nga bizneset e trevave shqiptare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndaj në këtë konteks, merr përparësi dhe lajtmotivi i kësaj nisme për rritjen e konsumit të produkteve shqiptare nëpërmjet promovimit dhe forcimi i bashkëpunimit mes bizneseve të rajonit.
Forumi Ndërkombëtar Ekonomik në Prishtinë, me temë “Kosova vend i artë për investime”, u organizua nga Aleanca Kosovare e Biznesit, në bashkëpunim me klubin Maqedonas-Izraelit, Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, Odat Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore, Malit të Zi dhe Kroacisë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë më shumë se 300 biznese nga 8 shtete të ndryshme Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Izrael dhe Austri.
Friday, 06 April 2012 14:25