Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 15:20

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste (PS), Erjon Braçe akuzoi të enjten qeverinë se, ka rritur borxhin në kurriz të shqiptarëve për hapjen e kantiereve të rrugëve ende të pambyllura, vetëm për qëllime elektorale.

Deputeti socialist thirri sot në një interpelancë në Kuvend ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi nga i cili kërkoi shpjegime për borxhin publik për rrugët, i cili sipas Braçes “është tërësisht në kurriz të qytetarëve”, ndërsa vetëm për vitin 2011 “përllogaritet në rreth 564 miliardë lekë”.

“Nevoja elektorale para zgjedhjeve të 2009-s, e shtynë qeverinë të hapte mbi 100 kantiere në vend, të cilët edhe sot janë ende të hapura. Pushtetin vërtetë e mbajtët, por jo nga kantierët, ata nuk janë mbyllur. Sot është i verifikueshëm dëmi që keni bërë. Ju nuk kishit para në 2008-n, por borxh shumë të lartë publik, 54.8%, që në fund 2009, arriti në 58. 6%. Ju detyruat ndërtuesit të punonin me paratë e tyre, ndërkohë që pjesa tjetër u mor borxh nga ata në banka me interesa të larta”, tha Braçe.