Bashkimi i shumëpërfolur i grupit “Spice Girls” duket të jetë një mision i pamundur. Muzikali i cili do të përcillte në skenë krijimtarinë e tyre, “Viva Forever” pritej që të shihte dritën e skenës këtë fundvit, me gjasë s’ka për të ndodhur kështu, dhe jo vetëm sepse Victoria Beckham ka deklaruar se s’kishte ndër mend t’i bashkohej grupit sepse është e angazhuar me të tjera projekte!
Një telash tjetër ka dalë, janë zënkat mes dy pjesëtareve të tjera të grupit, Mel C dhe Mel B të cilat po pengojnë vijimin e projektit për realizimin e muzikalit, duke bërë kështu të pamundur që puna e madhe e skenaristes Jennifer Saunders të shohë dritën e skenës.
Grupi “Spice Girls” u shndërrua në një prej më të famshmëve në skenën e muzikës botërore në vitin 1996 kur u publikua edhe një superhit i tyre, “Wannabe” dhe në vetëm dy vjet ato kryesuan klasifikimet në të gjithë botën, në Amerikë dhe Evropë.
Në vitin 1998 Geri Halliwell ishte e para që la zyrtarisht grupin për të vijuar karrierën e saj solo dhe në vitet në vijim, të gjitha anëtaret e tjera të “Spice Girls” vijuan karrierë solo në muzikë apo modë, çka solli edhe ndarjen përfundimtare të grupit në vitin 2001.
Thursday, 05 April 2012 15:18 