Prishtinë-Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kërcënimin e opozitës për bojkotim të punimeve të Kuvendit, nëse nuk hiqet nga rendi i ditës, Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinaciare dhe institucionet financiare jobankare.
Megjithëse ishte paralajmëruar se do të hiqet nga rendi i ditës Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinaciare dhe institucionet financiare jobankare, seanca ka nisur me përfshirjen e këtij projektligji në rend dite.
Opozita ka reaguar që në fillim të seancës duke kërkuar largimin e këtij ligji nga rendi i ditës. Për këtë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi është detyruar t’i ftojë shefat e grupeve parlamentar dhe ministrin e Financave, Bedri Hamza në konsulte. Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, që në fillim e ka bërë të qartë pozicionin e opozitës.
“Mos luani me ne. Keni thënë se do të tërhiqet Ligji për bankat që në fillim. Nuk po e bëni këtë. Atëherë dikush, s’po e them ju, dikush na ka gënjyer. Unë vi në emër të grupit, por nëse nuk hiqet në fillim ligji për bankat, ne nuk do të vazhdojmë të jemi më tutje prezentë”.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci propozoi që të shtyhet për nesër ky projektligj dhe kërkoi mbështetjen për futjen në rend dite të dy projektligjeve të reja, atë për ndërmarrjet publike dhe Projektligjin për ndërtimet. Opozita kundërshtoi propozimin për shtyrjen vetëm për një ditë. Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo është një shpërfillje tjetër e procedurave.
Ardian Gjini nga AAK-ja e quajti truk, propozimin e Grabovcit që Projektligji për bankat të shtyhet vetëm për një ditë. Edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, është pajtuar që Projektligji për bankat të shtyhet, kurse dy ligjet tjera, ai për ndërmarrjet publike dhe Projektligji për ndërtimet të aprovohen sot meqenëse janë në lexim të parë.
Në seancën e sotme, pritet që me kërkesë të grupeve parlamentare, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi të paraqes një informatë lidhur me arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe në kufirin Kosovë-Serbi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 11:49