Kinë – Zeng Lijun është një burrë 33-vjeçar që jeton sëbashku me gruan dhe djalin e tij 14-muajsh në një banjo të vjetër publike në Sheyang të Kinës, që prej gjashtë vitesh. Banesa e çuditshme është e rimodeluar siç duhet, por aty ndodhen ende WC-të dhe era e keqe.
Lajmi i këtij vendbanimi është bërë publik fillimisht në mediat kineze, por tashmë ka bërë xhiron e botës në fare pak kohë.
Familja kineze prej tre personash jeton në 20 metra katrorë dhe kryefamiljari Zeng Lijun fiton të ardhura si këpucar. Për banesën e tij ai paguan rreth 800 euro qera në vit, ndërsa nga puna fiton rreth 200 euro në muaj.
Por lagështia e banesës së tij ka shkaktuar disa probleme të vogla në lëkurën e foshnjes 14-muajshe dhe 33-vjeçari është shprehur i vendosur se po përpiqet të mbledhë para për të gjetur një shtëpi më të përshtatshme.
Zeng Lijun dhe gruaja e tij janë fshatarë që kanë ardhur në qytet për një jetë më të mirë. Situata e tyre është e ngjashme me atë të 100 milionë emigrantëve të tjerë kinezë që kanë lënë fshatin për qytetin.
Wednesday, 04 April 2012 11:10 

