Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 12:09

Prishtinë  – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nis sot për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Shtëpisë së Bardhë.

Burime zyrtare të qeverisë së Kosovës bënë të ditur për ATSH-në se “Kryeministri Thaçi do të zhvillojë në Uashington takime të nivelit më të lartë shtetëror në Shtëpinë e Bardhë, në Departmentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve”.

Janë konfirmuar takimet në Uashington, të mërkurën me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndërkaq të enjten me zv/presidentin Joseph Biden.

Përveç takimeve me zvendëspresidentin dhe shefen e diplomacisë amerikane, kryeministri Thaçi do të takojë edhe udhëheqës të departmenteve të Mbrojtjes, të Tregtisë, të Agjencisë Amerikane për Zhvillim ndërkombëtar, (USAID) si dhe me anëtarë të Kongresit Amerikan, senatorë dhe kongresistë.

Në këtë vizitë Thaçi shoqërohet edhe nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. 

Ai do të ketë edhe një vizitë në Denver të Colorado-së ku do të mbajë dy ligjërata në dy Universitete.

Në vizitën në New York ndërkaq është njoftuar se kreyministri i Kosovës do të takojë edhe vetë shefin e Kombeve të Bashkuara, Sekretarin e Përgjithshëm, Ban ki Moon.