Washington-Veriu i Kosovës duket të jetë çështja që shqetëson më shumë ambasadoren e re amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson, e cila u konfirmua për postin e ri nga Senati, të enjten e kaluar.
Përkushtimi për sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial të saj dhe pavarësinë, si dhe integrimi i vendit në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, do të jenë parimet udhëheqëse të punës së ambasadores së ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Ambasadorja ka paralajmëruar se situata mbetet e tensionuar në veri të Kosovës, ndërsa një zgjidhje për problemin atje do të duhej të respektonte sovranitetin e Kosovës, por edhe të merrte parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri.
“Një zgjidhje e situatës në veri dhe normalizimit të marrëdhënieve kërkon një ‘modus vivendi’ të qëndrueshëm që e respekton sovranitetin e Kosovës, i merr parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri, dhe i lejon edhe Kosovës edhe Serbisë të vazhdojnë rrugët e tyre euroatlantike”, ka thënë ajo.
Modus vivendi është një frazë latine që do të thotë marrëveshje mes atyre që kanë opinione të ndryshme. Modus do të thotë mënyrë dhe Vivendi do të thotë jetesë. Së bashku shprehja do të thotë mënyrë jetese, që implikon një pranim mes dy palëve për të lejuar vazhdimin e jetës.
Zakonisht shprehja përdoret për të përshkruar marrëveshje të përkohshme dhe informale për çështje politike. Për shembull dy palë arrijnë një modus Vivendi për territore për të cilat palët janë në konflikt.
Në dëshminë e saj para Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme, ambasadorja Jacobson ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj, posaçërisht me Serbinë, janë kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 08:43