Prishtinë-Qeveria e Kosovës do ta presë edhe sot Shqipërinë, për të hequr çmimin referent për pataten. Në të kundërtën, pritet të vendosen çmime referente edhe për produktet e Shqipërisë. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë nuk do t’i japë më afat Shqipërisë, për heqjen e çmimit referent për pataten. Nëse ky shtet edhe sot do të vazhdojë të aplikojë këtë çmim, atëherë MTI’ja do të fillojë të zbatojë reciprocitet edhe me këtë shtet.
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari – Lila, thotë se edhe Kosova do të fillojë të zbatojë reciprocitet me Shqipërinë, nëse edhe të hënën ky shtet do të vazhdojë të aplikojë çmimin referent për pataten. “Nëse edhe nesër nuk hiqen çmimet referente për pataten, atëherë do të fillojmë edhe ne të aplikojmë të njëjtën gjë në produktet e tyre, vetëm se jo në patatet, pasi ne nuk importojmë patate”, thotë ministrja Kusari – Lila.
Ajo njëherë thotë se nuk mund të tregojë se cilat janë ato produkte në të cilat do të fillohet të aplikohet çmimi referent. Ajo pohon se vetëm do të sigurohen që çmimi referent të gjejë zbatim në ato produkte, të cilat nuk mund të rrisin koston për konsumatorin. Kusari – Lila thekson se kjo nuk është aspak situatë e favorshme, pasi këtë çështje kanë pritur ta zgjedhin me dialog të mirëfilltë, e jo me këto masa.
“Ne jemi munduar tërë kohën të jemi në kontakt me Qeverinë shqiptare, por prej tyre nuk kemi marrë përgjigje zyrtare”, thotë ajo, duke shtuar se kanë pasur vetëm përgjigje që nuk kanë qenë të informuar për këtë problem. Kusari – Lila tregon se atyre ua kanë bërë me dije se do t’i presin deri të hënën, në të kundërtën, ajo pohon se do të vendosin procedurën e aplikimit të çmimeve referente për produktet e tjera. Shqipëria ka kohë që ka filluar aplikimin e çmimit referent prej 24 centësh për papatet e Kosovës.
Në anën tjetër, kur Shqipëria mori kryesimin e CEFTA-s këtë vit, komuniteti i biznesit kishte pritje shumë më të mëdha, ngase Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, me mbështetje të shteteve të tjera, e veçanërisht Shqipërisë. Edhe udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës ishin shprehur të shqetësuar për aplikimin e këtij çmimi për pataten kosovare. Zyrtarë të OEK’ut kishin thënë se Shqipëria viteve të fundit është duke e shkelur biznesin kosovar.
Një javë më parë, zyrtarë të Ministria së Tregtisë dhe të Industrisë i kishin dhënë një javë afat Shqipërisë, për heqjen e çmimit referent për pataten. E nëse Shqipëria nuk merr masa, nuk i kthen çmimet referente në nivelin ku kanë qenë, atëherë kjo ministri kishte paralajmëruar masa adekuate, jo në patate, por në ngritjen e çmimeve referente për produktet e tjera.
Ndryshe, Kosova ka të drejtën që të mbledhë lëndën trevjeçare me Shqipërinë, duke ofruar fakte se si vazhdimisht Shqipëria i ka ngritur çmimet e referencës, duke i shkelur kështu rregullat e CEFTA’s dhe ta dërgojë si padi te kjo e fundit. (Express)
Monday, 02 April 2012 11:51