Prishtinë- Në mëngjesin e 1 prillit, në Prishtinë filloi dëbora e parë e pranverës, derisa priten edhe reshje të tjera, ndërkohë që kryeqyteti i Kosovës duket shumë i mjegulltë.
Pas një dimri të madh me temperatura deri minus 22 gradë e shumë dëborë, deri mbi dy metra trashësi, pranvera në Kosovë erdhi që nga dita e parë me diell dhe e ngrohtë deri në 20 gradë celcius, por në kryeqytet ende nuk kishte lule dhe behar.
Në Prishtinë dëbora e parë e dimrit që shkoi reshi që në vjeshtë, në mëngjesin e 6 dhjetorit. Dëbora e sotme e dimrit në pranverë reshë pas asaj të mëngjesit të 12 marsit, e cila u pasua me pranverë në dimër me sheshet e terasat e kafe-restoranteve plot njerëz.
Në kryeqytetin kosovar në pranverën e vitit të kaluar reshi dëborë edhe më 13 e 14 prill. Prishtinës, ku dëborë bie edhe në stinë pranveres e vjeshtës, thuhet se i ka mbetur emri si një vend ku prishet stina (Prishtina), sikur që thuhet edhe se e mban emrin e trashëguar nga perandori Justinian.
Dimri i madh në Kosovë, i përfunduar me kalendar këtë vit, për reshjet e shumta të dëborës dhe acarin, krahasohej me dimrat e viteve 1935, 1956 dhe 1984. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 11:03