Shkup-Ministri serb i mbrojtjes Dragan Shutanovac nuk ka marrë pjesë në samitin e sotëm ministror të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të SHBA-ve me titull “Sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e bashkuara” që përfundoi në Shkup. 
Në Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë thanë për “Lajm” se Shutanovac nuk ka dhënë sqarime për mospjesëmarrjen e vet në konferencë, e as nuk ka shprehur interesim të caktojë ndonjë tjetër përfaqësues të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Supozohet se shkak për këtë bojkot nga ana e Shutanovacit është pjesëmarrja e ministrit kosovar Agim Çeku, në cilësinë e vëzhguesit. Çeku ka shprehur keqardhje për mungesën e ministrit serb, duke vlerësuar se nuk është në frymën e bashkëpunimit të mirë rajonal.
Kosova në këtë samit është përfaqësuar pa emër, por vetëm me emrin e ministrit Çeku dhe me flamurin shtetëror. Ministrat pjesëmarrës kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët me konkluzat që kanë dalë nga konferenca.
Thursday, 29 March 2012 19:23