Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 19:24

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryeprokuroren e Shqipërisë, Ina Rama, të cilën e përgëzoi për angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit.

Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë të shkëmbejnë përvojat me njëra-tjetrën në fushën e drejtësisë dhe se kanë çfarë të mësojnë nga njëra-tjetra. 

Jahjaga tha se ajo i jep mbështetje të plotë të gjitha reformave në gjyqësor dhe në prokurori, në arritjen e standardeve më të larta në politikën e kuadrove, që prokurorë dhe gjyqtarë të emërohen njerëzit që gëzojnë respekt, që kanë integritet dhe që janë të dëshmuar për vendosmërinë dhe kurajën profesionale dhe njerëzore.

Natyra e krimeve transkufitare nuk është vetëm sfidë e Shqipërisë dhe e Kosovës, por është sfidë e gjithë rajonit, tha Presidentja Jahjaga.

Nisur nga kjo, tha ajo, është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.

Kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama tha se përpjekja për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë bashkëpunim në nivel të kryeprokurorive, që duhet të forcohet edhe më tej në të ardhmen.