Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 08:00

Tiranë-Ka hyrë në fuqi dhe ka filluar nga zbatimi marrëveshja për kalimin e pikave kufitare me karta identiteti me Malin e Zi.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se kjo marrëveshje, është nënshkruar në datën 14 dhjetor nga zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto me homologun e tij të Malit të Zi, Milan Rocen.

Marrëveshjet parashikonin lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së shtetasve ndërmjet dy vendeve, duke përdorur për këtë qëllim jo vetëm pasaportat, por edhe kartat e identitetit biometrike.

Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, e cila gjatë presidencës së inisiativës rajonale MARRI, në vitin 2010, lancoi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë ndërmjet vendeve anëtare, i qujatur ndryshe krijimi i një “Shengeni Ballkanik”, nxitur edhe nga përvoja pozitive e përdorimit të kartave të identitetit si mjet udhëtimi me Republikën e Kosovës.

Këto marrëveshje do të lehtësojnë dhe nxisin lëvizjen e njerëzve, duke forcuar lidhjet ndërmjet popujve dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre, duke krijuar një klimë të re rajonale, në funksion të integrimit të plotë në familjen evropiane. (LajmeShqip.com)