Prishtinë- Pikëkalimi 1 në Jarinje është hapur nga mëngjesi i sotëm për qarkullim të mallrave tregtare si pjesë e procesit të normalizimit të përgjithshëm të kontrolleve doganore në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë.
Pas këtyre masave, sipas njoftimit të sapodhënë nga EULEX, pikëkalimet 1 dhe 31 tani janë plotësisht funksionale për qarkullimin e mallrave komerciale dhe jo-komerciale.
Në korrik 2011, pikëkalimi 1 ishte mbyllur përkohësisht për qarkullimin komercial për shkak të incidenteve të dhunshme të cilat i lanë pas objektet e dëmtuara të cilat kishin nevojë për riparime.
Në të dyja pikëkalimet, kontrollet bëhen nga policët dhe doganierët e EULEX-it, në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Policia dhe Dogana e Kosovës.
Zhdoganimi i mallrave komerciale bëhet në Terminalin e Mitrovicës. Importet e mallrave me akcizë, si alkooli, cigaret dhe karburanti, do të vazhdojnë të lejohen vetëm nëpërmjet pikëkalimit në Merdarë.
Ndërkohë, EULEX-i është duke zhvilluar një fushatë të informimit publik me fletushka dhe spote në radio për të informuar popullatën lokale lidhur me procedurat në këto pikëkalime. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 March 2012 18:18