Tiranë (PLOTESUAR 24 mars, 16:40) Presidenti Bamir Topi përshëndeti sot 13-vjetorin e sulmit ajror dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për t’i ardhur në ndihmë popullsisë shqiptare të Kosovës.
Zyra e shtypit e presidencës bën të ditur se në mesazhin përshëndetës, kreu i shtetit thekson se “24 marsi i vitit 1999 shënoi fillimin e fundit të regjimit diktatorial të Sllobodan Millosheviçit duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjenocidit, dhunës së pashembullt dhe shpërnguljeve me forcë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës nga trupat ushtarake serbe”.
Në emër të shtetit shqiptar, Topi shpreh mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Klinton, për Kryeministrin britanik Toni Bleir si dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të cilat i erdhën në ndihmë dhe përkrahën pa hezitim popullsinë shqiptare të Kosovës duke e shpëtuar atë nga spastrimet etnike dhe dhuna më çnjerëzore e ushtruar në Evropë në fund të shekullit XX.
“Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ishte vendimtare në momentet më të vështira të historisë moderne të kombit shqiptar dhe duke u kombinuar me qëndresën e luftën heroike të Ushtrisë Çlimrimtare të Kosovës, bëri të mundur që populli i Kosovës të fitonte lirinë e merituar, për të cilën ka sakrifikuar aq shumë duke luftuar papushim e duke derdhur gjak”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Më tej, Topi nënvizon se “tashmë Ballkani, i çliruar nga mendësitë arkaike të konflikteve ndëretnike, ka një realitet të ri gjeopolitik: shtetin e ri, sovran dhe të pavarur të Kosovës, perspektiva e qartë e të cilit është padyshim integrimi në gjirin e strukturave euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane. Kjo u bë e mundur në sajë të operacioneve të suksesshme 78-ditore të Aleancës së Atlantikut të Veriut kundër diktaturës së Millosheviçit, kundër dhunës ndaj popullsisë civile e të pambrojtur, kundër spastrimeve dhe shpërnguljeve etnike si dhe në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, demokracisë dhe paqes”.
Për të gjitha këto arsye, Kosova dhe Shqipëria si dhe i gjithë kombi shqiptar do t’u jenë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s duke vazhduar të jenë faktorë paqeje dhe sigurie në Ballkan”, përfundon mesazhi i Presidentit Topi.
*************************
Tiranë (PLOTESUAR 24 mars, 15:00) – Qeveria shqiptare përkujtoi sot 13 vjetorin e fillimit të ofensivës ajrore të NATO-s mbi ish-Jugosllavi në mbrojtje të popullit të Kosovës.
Në deklaratën e saj kryeministria thekson se, “sot është 13 vjetori i fillimit të ofensivës ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut në mbrojtje te lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë nga barbaritë e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit”.
“Kjo ditë shënon shndërrimin e lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë në çështje madhore të aleancës së kombeve të lira, Aleancës së Atlantikut të Veriut”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Sipas Kryeministrisë, “keto sulme, të kombinuara me qëndresën heroike të luftetarëve të lirise të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren, bënë që në një afat kohor relativisht të shkurtër Sadami i Ballkanit të firmose kapitullimin dhe të marre fund regjimi i tij kolonial ne Kosovë. Kjo ofensivë historike për lirinë e shqiptarëve por edhe të Ballkanit në tërësi, shënon gjithashtu dimensionin e ri në misionin e Aleances se Lirisë, më e fuqishmja e të gjitha kohërave në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore.
“Qeveria shqiptare shpreh edhe një herë mirënjohjen me të thellë ndaj Presidentit te SHBA-ve Bill Clinton që udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe, forcave ushtarake të NATO-s për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës”, theksohet në njoftimin e Kryeministrisë.
“Sot është ditë në të cilen Shqipëria përshendet popullin e Kosovës dhe udhëheqjen e saj, që në një hark kohor të shkurtër e shndërruan Kosoven e pavarur në faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon”, përfundon njoftimi.
***************************
Prishtinë (PLOTESUAR 24 mars 12:40) Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, deklaroi sot se përvjetori i 13-të i sulmeve ajrore të NATO-s për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhej gjenocid mbi një popull të tërë.
“Populli i Republikës së Kosovës ndjen respekt dhe nderim të veçantë për gjithë angazhimin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës Veriatlantike-NATO, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës në mbrojtje te qytetarëve të pafajshëm, duke vendosur vlerat civilizuese në këtë pjesë të Evropës”, theksoi ajo.
Ne, në përvjetorin e 13-të, vijoi Jahjaga, ndjejmë admirim për gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të forcave ushtarake të NATO-s, që për 78 ditë me radhë u përkushtuan për jetësimin e parimeve në te cilat ata besonin dhe që për ne si popull kjo ishte vetë jeta.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin falënderimet e thella për gjithë angazhimin e misionit paqeruajtës të NATO-s-KFOR-it në Kosovë, që ndihmoi në ringritjen dhe rindërtimin e vendit, në parandalimin e çfarëdo kërcënimi dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Dhe Kosova pret që në një të ardhme të afërt të bëhet anëtare e NATO-s, të japë kontributin e vet në misionet humanitare dhe paqeruajtëse në botë”, përfundon Presidentja Jahjaga në deklaratën e saj.
Në Kosovë po kujtohet me shumë manifestime dita e ndërhyrjes shpëtimtare që i hapi rrugën lirisë së saj, 24 marsi i vitit 1999, i fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s mbi pozicionet e forcave serbe që bënin gjenocid e spastrim etnik të tmerrshëm.
****************************
Prishtinë-Sot mbushen 13 vjet që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe, për t’i dhënë fund dhunës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Fushata e NATO-s që zgjati 78 ditë, është vlerësuar nga liderët e institucioneve të Kosovës si jetike për popullin kosovar.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se përvjetori i 13-të i intervenimit të NATO-s në Kosovë “për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhet gjenocid mbi një popull të tërë”.
Sulmet ajrore të forcave të NATO-s cilësohen si humanitare për qëllimet e tyre si civilizuese dhe njerëzore në ruajtje të paqes dhe stabilitetit në efektet e tyre politike, ka thënë presidentja, për të shtuar se “Aleanca Veri-Atlantike në përvjetorin e saj të 50-të e dëshmoi se është e aftë të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe në mënjanim të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”.
Saturday, 24 March 2012 11:48