Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:10

Prishtinë – Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, i cili vizitoi të enjten Pejën theksoi se Kosova ka disa synime të rëndësishme, si liberalizimi i vizave, por theksoi ai, “këto synime mund të arrihen vetëm nëse shënohen përmirësime në sferën e sundimit të ligjit”.

Sipas njoftimit të EULEX, De Marnhac gjatë takimit më kryetarin e Komunës së Pejës, Ali Berisha, diskutoi për gjendjen e sundimit të ligjit në këtë rajon. Ai tha se EULEX-i do të vazhdojë mbështetjen, mirëpo, theksoi më tej, rezultati përfundimtar do të varet nga vetë institucionet e vendit.

“EULEX-i do të jetë i pranishëm për t’i ndihmuar institucionet e sundimit të ligjit. Mirëpo, lidhur me këto objektiva, unë e kam thënë se në fund të fundit do të jenë vetë institucionet e Kosovës të cilat duhet ta kryejnë punën e vet”, tha de Marnhac.

Kjo, sipas tij, është arsyeja pse u ndjeva mirë kur bisedova me përfaqësuesit e policisë, drejtësisë dhe doganës, sepse secila prej tyre përmes veprimeve të veta e ka rastin që t’a mbështesë arritjen e këtyre objektivave.    

Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, tha se gjendja e sigurisë në komunë është duke u përmirësuar vazhdimisht, gjë që është një lëvizje pozitive për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

“Niveli i kriminalitetit është në rënie. Sidoqoftë, institucionet komunale vazhdimisht kërkojnë nga policia, gjyqësori dhe prokuroria që të kenë një përkushtim më të madh dhe të bashkëpunojnë me EULEX-in, në mënyrë që kriminaliteti në komunën tonë të shënojë rënie të mëtejshme. Dihet se niveli i sigurisë e përcakton të ardhmen tonë, objektivat tona

Gjatë ditës, Shefi i EULEX-it është takuar edhe me personelin e këtij misioni, i cili punon në rajonin e Pejës.