Tiranë – Monumenti “Jam Shqipëri”, një vepër 15-21 metra në bronx ose në mermer, është një ndër dy monumentet më të spikatura të prezantuara në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ndër 80 bocetet e ardhura nga shumë vende të botës, si dhe nga Shqipëria e diaspora, për këtë eveniment shumë të rëndësishëm të shtetit shqiptar.
Imazhi i këtij projekti, që bazohet në fillesat e traditës dhe kulturës mijëravjeçare të kombit shqiptar, në studimet gjuhësore, historike dhe arkeologjike, është prezantuar në këtë konkurs nga Forumi “Imazh & Media”.
Doc.prof Astrit Memia, realizuesi dhe ideatori i këtij monumenti, thotë se për ta paraqitur shqiptarin dhe Shqipërinë me vlerat e saj është menduar që projekti të realizohet mbi bazën e simboleve përfaqësuese shqiptare në epokën e globalizmit.
Sipas tij, është sugjeruar që ky monument të japë idenë e një kujtese hyjnore tereziane dhe që formon shkronjën “A”, Albania. Ai është sugjeruar të vendoset tek sheshi “Rilindja”, tek stacioni i trenit ose tek pjesa e urës së Lanës, pranë parkut “Rinia”.
Projekti është i përbërë nga dy vepra, ku dy duar të fuqishme nisen vertikal si struktura guri dhe druri nga toka, duke u takuar horizontal dhe duke formuar njëkohësisht siluetën e shqiponjës dhe po ashtu bashkimin dhe besën e shqiptarëve. Mbyllja finalizon monumentin me një flakë të ndarë në pesë pjesë, që simbolizojnë kontinentet në glob.
Sipas doc. prof. Memisë, guri simbolizon guximin dhe trimërinë e shqiptarit në shekuj, ndërsa druri krenarinë. Porta simbolizon mikpritjen shqiptare dhe tregon portën e hapur të Europës, duart besëlidhjen dhe konseguencën për liri dhe paqe; shqiponja simbolizon unitetin kombëtar, ndërsa flaka simbolizon flakën e lirisë dhe paqes.
Platforma e monumentit të parë të projektit të prezantuar nga Forumi “Imazh dhe Media” do jetë rrethore, ndërsa skulptura fillon direkt nga toka, ndërkohë që vepra e dytë është e thjeshtë me dy krahë që bashkohen lart, duke krijuar shqiponjën dykrenare dhe pesë yje të BE-së, që simbolizojnë kontinentet.
Grupi u punës për realizimin e këtij projekti përbëhet nga doc. prof Astrit Memia, piktori dhe skenografi Bledar Gërçaliu dhe skulptori Ardian Pepa.
Konkursi për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë u shpall më 21 dhjetor 2011 dhe u mbyll më 15 mars të këtij viti.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë u paraqitën 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë nga Shqipëria, 13 artistë nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova dhe 14 artistë ndërkombëtarë.
Më 21 mars do të vlerësohen 5 bocetet më të mira me sistem pikësh, të cilët do i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve, pranë Kryeministrit.
Wednesday, 21 March 2012 19:30