Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 20:00

Tiranë – Pas premierës së fëmijëve “Zërat e detit” Teatri Shëtitës do të shfaq të enjten, premierën e tij të radhës, komedinë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, nën regjinë e Kiço Londos, në Teatrin “Bylis” të Fierit.

Hartues të ligjit dhe opozitarë të tij, intrigantë dhe servile, një komedi e cila kulmon me plane brilante për të fshehur të vërtetën do të interpretohet nga aktorët: Luftar Paja, në rolin e inspektorit Ruf, Fatmir Xhelili në rolin e William Braun-it, si dhe Mimoza Marjanaku, Doriana Çaushaj, Gerta Metaj, etj.

Në një temë sa aktuale, aq edhe universale, me një titull intrigues, trupa e Teatrit Bylis do të vazhdojë të përcjellë eksperiencën e saj 40-vjeçare në artin e bukur skenik. Ministra të korruptuar, inspektorë që kërkojnë ryshfete, vajza të reja në kërkim të pushtetit dhe rrugëve për t’u bërë të famshme.

Një dhuratë për të gjithë artdashësit do të jetë pjesëmarrja e aktorit Arqile Lipe në rolin e Willfred Pots-it, një aktor karaktere, i cili i ka munguar skenës shqiptare prej shumë vjetësh.

Teatri “Bylis” e pret këtë premierë në një atmosferë ndërtimesh, të cilat kanë ndihmuar në krijimin e një imazhi të ri për këtë institucion teatror. Pas rikonstruksionit të studios së aktorëve është kryer edhe një rikonstruksion i plotë i rampës së skenës së Teatrit “Bylis”.

Regjisori Londo po punon paralelisht në këtë teatrë edhe për tragjikmedinë “Vizita e damës plakë” me protagonist Tinka Kurtin, e cila pritet të jetë premierë në muajin prill në “Bylis”.

“Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” do të shfaqet në Teatrin “Bylis” deri në 15 prill 2012. Komedia vjen si bashkëpunim i Teatrit Shëtitës dhe Teatrit “Bylis”, Fier.