Prishtinë-Leme Xhemën, nga e hëna po e kërkon edhe Interpoli. Fotografia dhe të dhënat për ish-drejtoreshën e PTK-së janë publikuar në rrjetin më të madh të policisë në botë, për kërkimin e kriminelëve.
Ajo është shpallur fajtore për dëmtim të kompanisë publike dhe keqpërdorim të detyrës. Xhema është dënuar me tri vjet burg. Leme Xhema mund të mos e ndiejë më veten të sigurt. Ajo nuk mund të pretendojë se nuk do të arrestohet.
Pavarësisht se në cilin vend të këtij globi gjendet, Xhema, dikur drejtoreshë e Postës dhe Telekomit të Kosovës, në çdo moment mund të vihet nën pranga.
Emri, mbiemri, fotografia e saj e të dhënat e tjera personale, nga e hëna gjenden në faqen zyrtare të Interpolit. Leme Xhemën tash po e kërkon rrjeti më i madh botëror i kërkimeve policore.
Në fakt, për Xhemën, Policia e Kosovës ka një fletarrestim që nga gushti i vitit që shkoi. Por nga e hëna më 19 mars, është lëshuar edhe fletarrestim ndërkombëtar.
Publikimi i fotografisë së saj në rreshtin e personave të kërkuar është bërë të hënën nga selia qendrore e Interpolit në Lion të Francës. E dënuara me tri vjet burg për dëmtim të korporatës publike të telekomunikimeve, vazhdon të qëndrojë në arrati prej kohës së shpalljes së urdhër arrestit për të, më 5 gusht të vitit 2011.
Tuesday, 20 March 2012 13:37