Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 19:00

Shkup-U mbajt sot në kryeqytetin e Maqedonisë, manifestimi “Marsh për paqe” nën organizimin e Iniciativës qytetare “Së bashku për paqe” për ti thënë ndal dhunës dhe tensioneve ndëretnike në vend.

Ky marsh për paqe ka mbledhur qindra njerëz, shqiptarë e maqedonas të cilët thanë se manifestojnë për të treguar se e duan dhe e respektojnë njëri tjetrin.

Në këtë marshim kanë marrë pjesë artiste, intelektualë përfaqësues të shoqërisë civile dhe perfaqësues të partive politike.

Manifestimi u organizua pas incidenteve ndëretnike dhe dhunës ndaj shqiptarëve që ka trazuar bashkëjetesën në Maqedoni duke rritur shumë tensionet në vend.

Kryeminsitri Nikolla Gruevski e ka përshëndetur manifestimin e sotëm në Shkup duke thënë se ky eveniment ka për qëllim promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe respektit ndaj njëri-tjetrit.

“Ky marshim është porosi për të gjithë ata të cilët në njëfarë mënyrë dëshirojnë ta prishin paqen dhe qetësinë e qytetarëve se shumica e këtij populli, si në të kaluarën, ashtu edhe tani dhe në të ardhmen, do të dinë t’i bëjnë të gjithë hapat e nevojshëm që të mos u lejohet individëve të tillë dhe strukturave të tilla t’i realizojnë idetë e veta, të cilat nuk janë në drejtim të ruajtjes së paqes dhe qetësisë së qytetarëve. “, ka thënë kryeminsitri Gruevski. (LajmeShqip.com)