Qeveria shqiptare premtoi sot se biznesi në Shqipëri do të përfitojë së shpejti lehtësi të tjera, kryesisht në shkurtimin e procedurave të regjistrimit dhe në marrjen e lejeve të ndërtimit.
Task Force e Reformës Rregullatore mori disa vendime të rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të reformave për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Në këtë mbledhje, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Koorporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), që po ndihmojnë në zbatimin e kësaj reforme, Kryeministri Berisha theksoi se, përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe është një nga objektivat më madhorë të kësaj qeverisjeje.
Sipas tij, sektori privat është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.
Rezultat i kësaj politike ka qenë rritja e numrit të bizneseve, përthithja e 4 miliardë investime të huaja në 6 vjet, rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë, trefishimi i eksporteve, etj.
Kryeministri theksoi se, përmirësime të ndjeshme do të bëhen në lidhje me zbatimin e kontratave, zgjidhjen e paaftësisë paguese, (falimentimin), marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorit, etj.
Më konkretisht, numri i procedurave të regjistrimit të biznesit që do të reduktohen nga 5 që janë sot, në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 lekë, nga rreth 112 lekë që ka qenë.
Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit, duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi.
Numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot, në 5 dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë.
Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.
Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet . Nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.
Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.
Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma , nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4.
Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë.
Saturday, 17 March 2012 16:26