Tiranë-Ndërsa është kthyer dje në Shqipëri, nëntetar Aleksandër Peci, që u plagos në Afganistan javë më parë, ka marrë porosi nga ana e komandantit të tij të mos tregojë se çfarë ka ndodhur.
“Një porosi të jap jo si shef, por si më i madh, mos trego se çfarë ka ndodhur me detaje dhe mos merr kontakt me gazetarët, se ata material duan”, i ka shkruar shkujdesur komandanti Naim Dani në faqen e tij në Facebook, Pecit. “Jo more jo, s’bëhet llaf, s’kam punë me gazetarët”, i është përgjigjur Peci.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, Naim Dani është komandant i trupave komando dhe në vitin 2010 ka qenë me mision edhe ai në Afganistan.
Ky komunikim tregon në radhë të parë joseriozitetin e zyrtarëve shqiptarë, duke qenë se një gjë e tillë nuk bëhet në Facebook.
Ndërkohë, duket e çuditshme se përse komandanti urdhëron Pecin që mos të tregojë se çfarë ndodhi në Afganistan, kur në fakt të gjithë në Shqipëri, të prekur nga ngjarja e rëndë, duan të dinë se përse humbi jetën Feti Vogli dhe si u plagos Aleksandër Peci.
Ngjarja që ndodhi me ushtarët shqiptarë në Afganistan, ku humbi jetën Feti Vogli dhe u plagos Aleksandër Peci, ka mbetur ende mister dhe nuk është zbardhur nga autoritetet shqiptare. (Tema)
Friday, 16 March 2012 13:15