Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 09:45

Paris – Dy ushtarë francezë u vranë dhe një tjetër u plagos nga një person që hapi zjarr ndaj tyre, në afërsi të një baze ushtarake në Montoban, në Jug-Perëndim të Francës.

Atentatori pas krimit, u largua me një motoçikletë. Tre ushtarët u qëlluan, ndërsa ndodheshin pranë një bankomati, shumë pranë kazermës të Rregjimentit të 17-të të Parashutistëve.

Dy ushtarët e vrarë ishin 24 dhe 26 vjeç, ndërsa i plagosuri 28 vjeç. Fillimisht për ushtarin e plagosur me një plumb në kokë u tha se kishte ndërruar jetë, por më pas u mësua se ai është në gjendje të rëndë, në spital.

Të paktën 15 gëzhoja u gjetën në vendngjarje. Një prej zyrtarëve të policisë në Montoban i tha agjencive se vjedhja nuk është motiv i vrasjeve. Ai e lidhi ngjarjen me një tjetër vrasje, që ndodhi të dielën e kaluar. Një ushtar 30 vjeçar u qëllua nga një person me motoçikletë, në një zonë të banuar në qytetin Tuluz, 46 km në jug të Montoba.