Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 19:41

Prishtinë, 15 mars – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po pret që gjatë pranverës të ndodhet në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Në aranzhim është një takim tet-a-tet me presidentin amerikan Barak Obama.

Dy burime të ndryshme ndërkombëtare kanë deklaruar për “Kohën Ditore” në kushte anonimiteti se takimi i është premtuar kryeministrit kosovar gjatë qëndrimit në Prishtinë të zëvendës-sekretarit amerikan të Shtetit, Uiliam Bërns, muajin e shkuar.

Zyrtari amerikan kishte bindur Thaçin të pranojë që në nisma rajonale Kosova të përfaqësohej me një fusnotë karshi denominimit të shtetit, në të cilën do të përfshihej edhe Rezoluta 1244 e OKB-së. Deri në këtë kohë Prishtina zyrtare refuzonte një formë të tillë përfaqësimi.

Por, deri tash nuk ka konfirmim për datën e takimit. Për rrjedhojë mungon edhe ftesa zyrtare.

Disa javë pas Thaçit, presidenti Obama do ta presë kryetarin serb Boris Tadiç. KohaDitore