Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 12:50

Tiranë (PLOTESUAR 15 Mars, 16:30) Nëntetari i ushtrisë shqiptare, Aleksandër Peci, i plagosur në Afganistan më 20 shkurt të këtij viti, mbërriti mesditën e sotme në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, pas një kurimi të specializuar gati një mujor në një spital ushtarak amerikan në Landstuhl (Gjermani).

Peci u prit në aeroport nga një grup ushtarakësh dhe familjarë, ndërsa më pas, sipas procedurës standarde operacionale, do të shoqërohet për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për të kryer një kontroll mjekësor.

Në mjediset e këtij spitali, rreth orës 15:00, nëntetar Peci do të takohet me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe ushtarakë të tjerë të lartë të ushtrisë shqiptare.

Nëntetar Peci u plagos më 20 shkurt kur ishte me mision në njësinë e përbashkët shqiptaro-amerikane në  Kandahar, ndërsa u qëllua nga një grup policësh afganë. Gjatë këtij sulmi mbeti i vrarë kapiteni 31-vjeçar Feti Vogli, vdekja e të cilit shënoi dhe humbjen e parë të trupave paqeruajtëse shqiptare në misionet ndërkombëtare.

***************************

Tiranë – Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, thanë se nëntetar Peci pritet të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të Rinasit rreth orës 14:30 dhe do të pritet me një ceremoni zyrtare ushtarake.

Nëntetar Peci u plagos më 20 shkurt kur ishte me mision në njësinë e përbashkët shqiptaro-amerikane në zonën e Kandahari, ndërsa u qëllua nga një breshëri plumbash nga armët e një grupi policësh afganë.

Peci fillimisht iu nënshtrua një ndërhyrjeje në një spital ushtarak në Kandahar dhe më pas një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, në spitalin ushtarak amerikan të bazës ajrore të Bagramit në Kabul. Më pas ai u transferua në Gjermani, në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl.

Gjatë sulmit të 20 shkurtit në Kandahar mbeti i vrarë kapiteni 31 vjeçar Feti Vogli, që shënon dhe humbjen e parë të trupave paqeruajtëse shqiptare në misionet në kuadër të NATO-s.