Shkup-Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, ka arritur sot në Shkup, për të shënuar fillimin e dialogut aderues me Maqedoninë, i cili, siç thuhet, do t’i japë një impuls të ri reformave dhe përmbushjes së kritereve tjera në rrugën drejt integrimit të Maqedonisë në BE.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha se një lloj i këtillë i dialogut nuk është vendosur më parë me asnjë shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Dialogu i nivelit të lartë do të aplikohet me Maqedoninë në mungesë të zgjidhjes së çështjes së emrit. Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, ka thënë se nisja e këtij dialogu shënon një kapitull të ri në raportet me BE-në.
“Dialogu i nivelit të lartë është një mundësi e veçantë për Maqedoninë që të përparojë në proceset e reformave dhe një kapitull i ri në raportet ndërmjet vendit tonë dhe Bashkimit Evropian. Përparimi në procesin e raporteve me Bashkimin Evropian është interes strategjik i të gjithë qytetarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Arifi pas takimit me ambasadorin e BE-së.
Gjatë qëndrimit në Shkup, komisionari për zgjerim, Fyle, fillimisht do të takohet me zëvendëskryeministren Arifi, pastaj me kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe me presidentin Gjorgje Ivanov. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 12:00