Bankat po tregohen mjaft të interesuara në tregun e kredive për shtëpi.
Shumë prej tyre synojnë t’i tërheqin klientët me oferta avantazhuese, që parashikojnë norma interesi fikse për një ose dy vitet e para.
Përgjithësisht, kredia për shtëpi shfaq performancë më të mirë dhe përqindja e kredive me probleme për këtë segment është më e ulët.
Pavarësisht se standardet e kreditimit janë ndjeshëm më të shtrënguara krahasuar me dy ose tre vjet më parë, nëse keni të ardhura të mjaftueshme dhe një pronë si kolateral, interesat që ofrojnë bankat për të financuar blerjen e shtëpisë janë mjaft konkurruese.
Për kreditë në euro, disa banka për vitin e parë ofrojnë interesa fikse nga 6% deri në 8%, ndërsa pas vitit të parë interesi përllogaritet me normën e euriborit 12 mujor plus një marzh fiks që për shumicën e bankave është 6%.
Aktualisht, interesi më i ulët është ai që ofrohet nga banka Societe Generale, me Euribor +4.5%, por me një minimum të interesit total prej 6.9%.
Edhe për kreditë në lek marzhet e bankave paraqiten në rënie të ndjeshme. Për vitin e parë disa banka ofrojnë interesa fikse nga 8% deri në 9%, ndërsa më pas me interesin e Bonove të Thesarit plus një marzh fiks që ndryshon nga 2% deri në 4%.
Për momentin, interesi më i ulët për kredinë në lekë është i Raiffeisen Bank, me Bono Thesari plus 2%.
Me interesin aktual të Bonove, interesi total i kredisë do të ishte rreth 9.3%. Bankat përgjithësisht financojnë deri në 70% të vlerës së banesës që do të blini
Në shumicën e rasteve, prona që blihet arrin të mbulojë kredinë në masën e kërkuar të garancisë.
Bankat sot janë shumë më konservatore për sa i takon verifikimit të të ardhurave.
Vetëm vërtetimi i pagës nga punëdhënësi nuk mjafton dhe kërkohet që të ardhurat të jenë detyrimisht të kanalizuara në sistemin bankar.
Kosto shtesë të kredisë janë komisioni fillestar që është në masën 1% deri në 2% të kredisë, sigurimet e jetës dhe të pronës për gjithë periudhën e shlyerjes, si edhe shpenzimet noteriale për kontratat dhe ato administrative për bllokimin e pronës.
Tuesday, 13 March 2012 15:29