Pse të harxhosh mijëra dollarë për të blerë instrumenta muzikorë të cilësisë së lartë, kur të njëjtën punë mund ta bësh duke përdorur perime?
Kjo është pyetja që i kanë futur në kokë komunitetit muzikor dy vëllezërit kinezë Nan Ueidong dhe Han Ueiping, të cilët kur i sheh të blejnë në treg, fare mirë mund të mendosh se janë pronarët e një restoranti. Por dy vëllezërit i blejnë perimet për një tjetër qëllim, ata i përdorin si instrumenta muzikorë.
Kjo duket e pabesueshme dhe e çuditshme, por imazhet e përcjella prej tyre nuk lënë vend për dyshime. Ashtu si për gatimin, Nan dhe Han thonë se perimet duhet të jenë të freskëta që muzika të jetë më e bukur. Sipas tyre, perimet e përdorura si instrumenta kanë një veçori, që me avullimin e ujit brenda tyre, tingujt që ato nxjerrin ndryshojnë duke u bërë më të fortë.
Sipas tyre, perimet e ndryshme nxjerrin tinguj të ndryshëm dhe kështu mund të përdoren për melodi të shumëllojshme. Sigurisht që një mënyrë e tillë për të bërë muzikë është mjaft e vështirë, sidomos për faktin se me kalimin e pak ditëve perimet humbin freskinë e tyre dhe nuk mund të përdoren më. Vëllezërit Ueiping janë zotuar se do të përpiqen që të ndërtojnë vegla muzikore me perime që të rezistojnë më shumë.
Tuesday, 13 March 2012 10:49