Tiranë -Kryeministri Sali Berisha në një dalje surprizë sot në mesditë ka prezantuar sot zëdhënësen e re të PD-së, Silvi Bardhi. Duke falenderuar ish-zëdhënësen për shtyp të Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, për punën e saj të shkëlqyer në këtë post, Berisha theksoi se “Mustafaraj ka qenë një zë i besueshëm. Albana ka pasur shans që të jetë zëri i PD-së në një nga betejat më të rëndësishme në 20 vitet e fundit, betejën për ndryshimin e Tiranës.
Kryeministri Berisha tha se Mustafaraj ka kërkuar leje pa dhënë asnjë detaj më shumë për largimin e zëdhënëses së mëparshme që lë për të dyshuar.
Kjo pasi Mustafaraj ka qënë zëdhënëse e Gazmend Oketës në kohën kur ishte ministër i mbrojtjes dhe largimi i Mustafaraj vjen vetëm pak ditë pas vendimit të Oketës për tu larguar nga grupi i partisë Partisë Demokratike.
Gjatë prezantimit Berisha iu drejtua zëdhëneses së re duke e quajtur disa herë, Silvija, megjithëse ajo quhet Silvi Bardhi.
Siç tha dhe Berisha zëdhënësja e re e PD-së, Silvi Bardhi, ka punuar në Kosovë me një efikasitet të lartë tek Klan Kosova, tek BBC në seksionin shqip, etj. “E ka patur të vështirë shkëputjen nga Prishtina pasi aty njohu dimensionin tjetër të botës shqiptare, por për Silvin, Tirana ishte magnet, ndaj dhe u rikthye si gazetare në ABC Neës”-tha Berisha para mediave. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 13:49