Tiranë (PLOTESUAR, 12 Mars 11:35) Pikërisht 3 ditë para 4 vjetorit të tragjedisë së Gërdecvit që u morri jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë, gjykata e Tiranës ka marrë sot vendimet për 29 të pandehurit. 
Kështu gjykata ka dënuar me 18 vite burg ish drejtorin e Meicos Ylli Pinari si dhe për administratorin e kompanisë së demontimit në Gërdec, Dritan Minxhollin.
Me 10 vite burg janë dënuar ndërkohë Mihail Delijorgji , pronari i kompanisë Alba Demil dhe Sokol Ngjeci. Ndërkohë gjykata shpalli të pafajshëm Agim Lalën dhe Ardian Mullain.
******************************
Tiranë – Gjykata e Tiranës do të japë sot vendimin për çështjen ‘Gërdeci”, një nga çështjet më sensitive të kohëve të fundit, që numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish- zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë. 
Faktikisht, vendimi për “Gërdecin” ishte parashikuar të shpallej në 6 mars, por Gjykata e Tiranës vendosi të shtyjë shpalljen e tij për në 12 mars, pra të hënën, duke çmuar se i duhej me tepër kohë për marrjen e vendimit për shkak se çështja është komplekse dhe materialet e saj janë voluminoze.
Prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm për ish- drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, për pronarin e kompanisë ‘Alba Demil”, Mihal Delijorgji si edhe për administratorin e kësaj kompanie, Dritan Minxhollin. Ndërkohë që, është kerkuar dënimi me disa vjet burgim për te pandehurit e tjere.
Në Gjykatë, të pandehurit kanë mbajtur qendrim mohues ndaj akuzave të ngritura nga prokuroria, duke deklaruar pafajësinë e tyre në këtë proces.
Të pandehurit e çështjes akuzohen se janë përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Vendimi per çështjen Gërdeci jepet 3 ditë para 4 vjetorit të kësaj tragjedie. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 10:01