Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 19:56

 PRISHTINË. Kufiri dikur i hekurt që qëndronte si “Muri i Berlinit” mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të ketë tashmë patrullim të përbashkët, pas protokolleve firmosura sot në Prishtinë. 

Protokollet u nënshkruan nga ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi në ndërtesën kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të këtij protokolli bashkëpunimi, ministrat i’u përgjigjën pyetjes së korrespondentit të ATSH-së në Kosovë mbi të ardhmen e këtij kufiri me patrullim të përbashkët dhe realizimin e aspiratës së integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ato që ne sot, jo vetëm shohim, por edhe përjetojmë, kanë qenë të pabesueshme edhe përpara pesë apo gjashtë vitesh, jo më përpara gjashtëmbëdhjetë vitesh”, shtoi ai.

“Shumë pak veta, para disa vitesh, besonin që Shqipëria mund të ishte vend anëtar i NATO-s, shumë pak besonin deri para pak vitesh që Kosova mund të ishte e pavarur, shtet sovran.

Shumë pak besonin që qytetarët e vendeve tona mund të udhëtojnë të lirë dhe pa viza në hapësirën Shëngen, si qytetarët e tjerë evropianë”, u shpreh ministri Nishani.

“Pra”, vijoi ai, “ka një ndryshim të tillë brenda një kohe relativisht jo shumë të gjatë dhe ndryshime esenciale që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të qytetarit, dhe, së dyti, me një perspektivë të shkëlqyer evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Pavarësisht atyre momenteve të vështira që në shekuj kanë kaluar Shqipëria dhe Kosova, ajo që është më e rëndësishmja është fakti që sot jemi në një realitet i cili projekton një të ardhme jashtëzakonisht prospere për Shqipërinë dhe Kosovën. Natyrisht ne u’a dëshirojmë edhe të gjitha vendeve tjera të rajonit, sepse në fund të fundit procesi i integrimit shkon në interes të çdo qytetari pavarësisht nacionalitetit”, theksoi ministri  i Brendshëm shqiptar, Nishani.

Duke ndarë të njëjtin mendim me homologun shqiptar, ministri kosovar Rexhepi tha se “synimi ynë është që lëvizja e lirë qytetarëve të jetë sa më e lehtë, dhe në këtë drejtim janë edhe protokollet e bashkëpunimit, por edhe menaxhimi i integruar i kufijve, marrëveshjet që janë gjatë sezonit turistik që në të ardhmen do të jenë edhe të përhershme. “Ne synojmë drejt një zone të lirë si në Shengen, ku pastaj nuk do ketë pengesa në kufijtë tanë”.    

“Natyrisht që kufijtë do të jenë vetëm në aspektin administrativ dhe jo në lëvizjen e lirë ndërshqiptare. Ne po punojmë që edhe integrimet kulturore, ekonomike dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të kenë lehtësitë maksimale si në Evropën demokratike të unifikuar”, theksoi ministri Rexhepi, duke i’u përgjigjur pyetjes së ATSH-së.

Në konferencën për shtyp, pas nënshkrimit të protokolleve për patrullimin e përbashkët përgjatë kufirit shtetëror mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, ministri Rexhepi tha se shumë shpejtë do të fillojë sezoni turistik, ku pritet një fluks shumë i madh nga Kosova drejt bregdetit shqiptar. Në këtë drejtim, ai siguroi se, do të krijohen lehtësirat e nevojshme për qytetarët.

“Unë kërkova nga ministri Nishani të na ndihmojnë me përvojën që kanë pasur në procesin e liberalizmit të vizave, që për ne është një proces në vazhdim e sipër dhe presim që këtë vit të kemi udhërrëfyesin”, tha ministri Rexhepi.