TIRANE-Një festë ndryshe për 8 Marsin, larg historive të trishta të grave të dhunuara e vrara, me femra që kanë ecur vetë në jetë e sot janë pjesë e shoqërisë civile dhe asaj politike shqiptare.
Kjo ishte festa e organizuar nga Monika Kryemadhi e që bashkoi në një vend, politikane të majta e të djathta, gruan e ish-kryebashkiakut Rama me bashkëshorten e Lulzim Bashës, kryetarit aktual të Bashkisë, ambasadore e gazetare.
Linda Rama ka qenë pjesë e kësaj feste të organizuar nga Monika Kryemadhi me të cilën janë takuar përzemërsisht, falë kjo edhe prej miqësisë që kanë pasur ato të dyja para se ajo të bëhej gruaja e kryetarit të Partisë Socialiste. Ftesë kanë marrë dhe Liri Berisha, prokurore e gjykatëse, të cilat i kanë munguar kësaj feste.
E prezantuar nga Kryemadhi me ambasadoren e Britanisë së madhe Fiona Mcllëham, Linda Rama një pjesë të madhe të kohës e ka kaluar me të. Sipas të pranishmeve, Kryemadhi i ka thënë Lindës nëse do të dëshironte të thoshte ndonjë fjalë por kjo i ka thënë se fjalimi i Monikës ishte gjithëpërfshirës dhe mjaftonte.
Takimi duket se është shmangur mes Lindës dhe gruas së Lulzim Bashës, Aurelës, e justifikuar kjo edhe për shkak të njerëzve të shumtë që kanë qenë të ftuar.
Shkas për të organizuar këtë festë u bë libri i shkruar nga ish-deputetja e Kosovës për shumë vite radhazi, Edi Shukriu me titull “Gratë e shquara shqiptare”, libër i cili nuk gjeti mbështetje as nga Ministria e Kulturës së Kosovës e as nga kjo shqiptare.
Një grup femrash me Kryemadhin në krye vendosën ta botojnë në kohë rekord dhe kjo u realizua më 8 mars. Festa shërbeu dhe si festë lamtumire për ambasadoren e Britanisë së madhe Fiona Mcllëham e cila mbaroi misionin e saj në Shqipëri.
Meqë dhuratat nuk i lejohen me protokoll organizatoret i dhuruan një buqetë shumë të madhe me lule.
Në festë ishin prezentë deputetet e majta dhe anëtaret e PS-së, Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni, Ermelinda Meksi, Samira Pino, nga PD-ja Mesila Dode, Edit Harxhi si dhe Ilda Zhulali, Moza Pashko, Aurela Basha, Iris Luarasi, Briseida Mema, Delina Fico e shumë të tjera si dhe femrat e misioneve diplomatike në Shqipëri.GazetaShqiptare
Friday, 09 March 2012 18:31