Tiranë – Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeminsitrit Sali Berisha i përfolur shumë për problemet e shkaktuara gjatë aksionit të shëmbjes së ndërtimeve në bregdetin e jugut, është shfaqur sërish me një tjetër projekt për bregdetin tashmë jo nën petkun e Bankës Botërore por me UNDP-në. 
Bëhet fjalë për projektin final për rivitalizimin e zonës bregdetare Plepa-Përroi i Agait në Durrës i cili prezantua paraditen e të premntes në MTKRS, sipas të cilit u prezantuan 23 masa prioritare.
Në këtë aktivitet ministri i MTKR-së Aldo Bumçi, gjatë fjalës së tij tha se, për zhvillimin e zonës bregdetare siç njihet Shkëmbi i Kavajës, nga 23 masa prioritare që prezanton studimi, 17 janë projekte infrastrukturore (projekte ndërtimore) dhe 6 projekte jondërtimore për rijetëzimin e këtij monumenti të natyrës.
“Ky projekt do të jetë udhërrëfyes edhe për projekte të tjera në këtë zonë”, tha Bumçi.
Gjithashtu Bumçi shtoi se MTKRS do të përpiqet që t’i bëjë këto projekte të financueshme duke i kombinuar të gjitha burimet e mundshme, buxhetin e shtetit, buxhetin e njësisë vendore, donatorë dhe bizneset e interesuara.
Qëllimi i këtij studimi lidhet me analizimin e problemeve të kësaj zone dhe propozimin e veprimeve të cilat do të çonin në rivitalizimin e këtij destinacioni turistik të mirënjohur në zonën e plazhit të Durrësit.
Ndërsa në prezantimin e tij “eksperti” Malltezi tha se “sipas gjetjeve të para të studimit, të prezantuara pak kohë më parë, rezultoi se uji në zonën Plepa-Përroi i Agait në Durrës është shumë i ndotur dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Habitatet në këtë zonë janë pothuajse të shkatërruara, për shkak edhe të asgjësimit të pyllit me plepa. Problem tjetër është dhe mungesa e një harte të shtrirjes së Shkëmbit të Kavajës, ndërtimet pranë, të cilat po cënojnë identitetin e këtij Monumenti Natyror. Sipas studimit të PNUD, kjo zonë nuk ka pësuar erozion bregdetar, ndër vite”.
Friday, 09 March 2012 18:24